Përurohet objekti i ri i Themelores në Gjakovë, Kurti: Shtyllë e drejtësisë

Përurohet objekti i ri i Themelores në Gjakovë, Kurti: Shtyllë e drejtësisë

Kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kanë marrë sot pjesë në përurimin e objektit të ri të Gjykatës Themelore në Gjakovë.

Pas përurimit, Kurti tha se kjo gjykatë do të jetë “shtyllë e rëndësishme e drejtësisë” jo vetëm në këtë qytet, por në tërë Kosovën.

“Kjo gjykatë do ta paraqesë një shtyllë të rëndësishme të shtetit të drejtësisë. U mirëpritëm nga kryetari i cili na paraqiti hapësirat e reja të cilat janë të lidhura me ngrohjet qendrore dhe kanë klimatizim të mirë. Secili prej 18 gjyqtarëve e ka zyrën e vet të veçantë. Ndriçimi është i përshtatshëm për punë, pajisjet janë moderne dhe kushtet e mira”, deklaroi Kurti.

“Është lajm i mirë për të gjithë. Isha edhe me deputeten Kusari-Lila dhe deputetin Batusha që të sigurohemi të kemi një ndërtesë që qytetarët e Gjakovës të kenë ku të drejtohen për drejtësi”.

“Kjo ndërtesë ka nisur në vitin 2015, por është zvarritur shumë gjatë. Në këto tri vite kemi punuar me shumë zell, kemi investuar diku dy milionë euro”, shtoi i pari i Qeverisë. /Gazeta Enigma

Related Articles