Greqia goditet nga vala më e madhe e të nxehtit në 30 vjet, ndërsa temperaturat në disa rajone i tejkaluan 45 gradët. Autoritetet parlajmërojnë se kërkesa për energji do të prekë majat, duke sprovuar kapacitetin e sistemit elektrik, i ngarkuar edhe nga më shumë se 3 milionë pushuesit që kanë mbërritur në vend.
Kryeministri i Greqisë, Mitsotakis, u shpreh: “Po përballemi me valën më të rëndë të të nxehtit që prej 1987-s. Siç mund të imagjinoni, rritja e kërkesës për energji krijon një barrë të konsidrueshme në sistem. Dua të siguroj grekët se do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë për të përballuar situtatën, por kërkojmë edhe ndihmën e konsumatorëve”.
I nxehti i vitit 1987, të cilit i referohet kryeministri, vrau më shumë se 1000 vetë. Meteorologët parashikojnë se situtata do të mbetet e njejtë edhe gjatë ditëve në vazhdim, me termometrin që do të prekë vlerat deri në 44 dhe 45 gradë, përfshirë kryeqytetin Athinë.
Grekë e turistë ju drejtuan plazheve e shatërvanëve, ndërsa zona turistike të tilla si Akropoli mbyllen në orët e pikut.
I nxehti ekstrem ka favorizuar zjarret, duke djegur mijëra hektarë pyje, përfshirë pranë qytetit të Patras. Situata pritet të jetë e vështirë edhe në vazhdim, ndarsa paralajmërohen shpërthime të vatrave të reja./Gazeta Enigma/