Përvjetori i Pavarësisë, presidenti gjerman uron Kosovën

Përvjetori i Pavarësisë, presidenti gjerman uron Kosovën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani  po vazhdon të pranoj urime me rastin e përvjetorit të 17-të të Pavarësisë së Kosovës.

Së fundmi ajo ka pranuar një urim nga presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier.

Në urim, presidenti Steinmeier ka riafirmuar mbështetjen e Gjermanisë për pavarësinë dhe rrugën evropiane të Kosovës, duke rikujtuar se shteti i tij në shkurt të vitit 2008, ishte ndër vendet e para që njohu shtetin e Kosovës.

“Gjatë këtyre viteve, kemi thelluar vazhdimisht bashkëpunimin tonë, qoftë në politikat e sigurisë, në reformat për përafrimin me BE-në apo në fushën e politikave të klimës dhe energjisë”, thuhet në urimin e Presidentit Steinmeier.

Në komunikatën për media thuhet se Steinmeier ka potencuar se në çështjet e politikës së jashtme, Kosova është pozicionuar qartësisht në përputhje me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian, siç thuhet aty, veçanërisht në mbështetjen e Ukrainës kundër agresionit të Rusisë, në shkelje të të drejtës ndërkombëtare.

“Gjermania mbështet në mënyrë të pandryshuar njohjen ndërkombëtare të Kosovës dhe dëshiron që ajo të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian..”, thuhet në urim.

Në fund të urimit të tij, Steinmeier ka theksuar se Gjermania mbetet një mbështetëse e fuqishme e Kosovës, duke përkrahur stabilitetin, zhvillimin dhe integrimin evropian.

Gjatë ditës së sotme, me rastin e pavarësisë Osmani ka pranuar urime edhe nga presidenti i ShBA-ve, Donald Trump, nga Mbreti Charles III si dhe nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron. /Gazeta Enigma

Related Articles