Ministria e Kulturës ka njoftuar se pas një procesi të kujdesshëm vlerësimi, është përzgjedhur logoja fituese e Muzeut të Artit Bashkëkohor, raporton Gazeta “Enigma”.
Në konkursin e hapur për dizajnimin e logos morën pjesë 40 aplikime, nga të cilat në fazën përfundimtare u kualifikuan tre dizajne me potencial për përzgjedhje.
Pas prezantimeve nga autorët mbi konceptin dhe mesazhin e logos, juria vlerësuese unanimisht shpalli fituese logon me shifrën 811984998, e cila është punuar nga dizajneri Valon Kurteshi, i cili vepron në Zvicër.
“Pas prezantimit mjaft serioz të autorëve rreth zhvillimit të idesë së logos dhe asaj që përfaqësohet përmes logos, juria vlerësuese unanimisht përzgjodhi aplikacionin më të suksesshëm, i cili plotësonte kriteret estetike, përmbajtësore, kreative dhe institucionale (sipas thirrjes publike), ku fitues i konkursit për logon e Muzeut të Artit Bashkëkohor u shpall logo nën shifrën 811984998, konkretisht, dizajnerit që punon dhe vepron në Zvicër, z. Valon Kurteshi”, thuhet në njoftimin e tyre.
Sipas Ministrisë së Kulturës, logoja fituese u vlerësua për: Origjinalitetin dhe kreativitetin e lartë; Nivelin estetik dhe identitetin e theksuar; Pasqyrimin artistik të veprimtarisë së muzeut; Promovimin e diversitetit dhe barazisë; Fuqinë transformuese dhe përfaqësuese të institucionit. /Gazeta Enigma/