Përzgjedhësi i Maqedonisë, Bllagoja Milevski ka publikuar listën e futbollistëve për ndeshjet kualifikuese të qershorit ndaj Belgjikës më 6 dhe Kazakistanit më 9 qershor, ku në listë janë edhe emra të njohur të futbollistëve shqiptarë.
Përfaqësuesja e Maqedonisë ka publikuar listën e futbollistëve të grumbulluar për dy sfidat e qershorit në kuadër të Kualifikimeve për Kampionatin Evropian. Vëmendjen e rrëmbejnë emrat e njohur shqiptarë, të cilët edhe këtë herë mbajnë peshën e skuadrës.
Kapiteni Enis Bardhi, Ezgjan Alioski, Visar Musliu, Isnik Alimi dhe Agon Elezi janë mes të grumbulluarve nga përzgjedhësi i përfaqësueses Milevski.
Në listë nuk ka befasi të madhe, debutues në listën e ekipit senior është Stefan Despotovski, ndërsa mungon Nikola Serafimovi, i cili është i pezulluar për ndeshjen ndaj Belgjikës. Në sulm mungon Qamili, ndërsa ftesë kanë marrë përsëri Toshevski dhe Mitrovski.
Maqedonia fillimisht përballet me Belgjikën më 6 qershor në Shkup, për të udhëtuar më pas drejt Kazakistanit, ku më 9 qershor do të zhvillohet ndeshja e dytë e këtij cikli kualifikues.
Grumbullimi i këtyre emrave të spikatur tregon edhe një herë rolin thelbësor që ata kanë në ndërtimin dhe funksionimin e përfaqësueses së vendit, me shpresë për rezultat pozitiv në këto përballje vendimtare.