Këmbanat e Kishës Përkujtimore Kaiser Wilhelm të Berlinit do të bien 13 herë këtë të diel, saktësisht në orën 20:02, një herë për secilën prej viktimave të sulmit terrorist të vitit 2016 në një treg Krishtlindjesh aty pranë.
Koha shënon momentin kur sulmuesi Anis Amri kaloi nëpër ngjarjen festive më 19 dhjetor 2016 me një kamion gjysmërimorkio të vjedhur, duke vrarë dhe plagosur dhjetëra. Ajo ditë shënoi momentin kur shumë gjermanë kuptuan se terrorizmi mund t’i prekte edhe në shtëpi.
Që nga ajo ditë, një nga sulmet më të rënda në Gjermani deri më sot, është krijuar një memorial për të kujtuar viktimat.
Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier do të flasë në shërbimin përkujtimor më vonë të dielën, duke theksuar vuajtjet e vazhdueshme të viktimave dhe të afërmve të tyre, raporton DW.
Sot, nuk do të ishte më e mundur të ngiste një kamion në një turmë në një treg Krishtlindjesh në kryeqytetin gjerman. Zona tani mbrohet nga dhjetëra shtylla dhe barriera betoni – jo vetëm në Breitscheidplatz, por në shumë nga sheshet e Berlinit. Masa të rrepta sigurie janë vendosur gjithashtu në përgjigje të sulmit, i cili shkaktoi tronditje në të gjithë vendin.
Pak para sulmit, Amri, i cili kishte ardhur në Gjermani si azilkërkues në vitin 2015, pasi kishte kaluar disa vite burg në Itali, vrau shoferin polak të kamionit Lukasz Urban dhe rrëmbeu gjysmërimorkion e tij. Disa orë më vonë Amri e drejtoi kamionin, i cili ishte i ngarkuar me rreth 25 ton çelik ndërtimi, në tregun e zhurmshëm të Krishtlindjeve. Nga forca e goditjes u vranë 11 persona dhe u plagosën 60 të tjerë, të cilët vazhdojnë të vuajnë nga pasojat e sulmit edhe sot e kësaj dite.
Pas sulmit, Amri arriti të ikte në Itali nëpërmjet Holandës, Belgjikës dhe Francës. Mëngjesin e 23 dhjetorit, ai u ndalua nga një patrullë policie në afërsi të Milanos dhe menjëherë hapi zjarr ndaj policëve, duke përdorur të njëjtën armë me të cilën kishte vrarë Urbanin dhe mbeti i vrarë në shkëmbimin e zjarrit që pasoi.
Amri ishte nën vëzhgimin e autoriteteve gjermane të sigurisë për vite me rradhë pasi kishte qenë i lidhur me islamikë të njohur. Sidoqoftë, në një moment, autoritetet bënë një gjykim të gabuar fatal dhe vendosën që ai të mos përbënte më kërcënim./Gazeta Enigma/