Drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, ka thënë se Serbia është gjithmonë e gatshme për dialog, por sipas tij, kryeministër i Kosovës, Albin Kurti, nuk është bashkëbisedues i mirë dhe i besueshëm.
“Aleksandër Vuçiç, do të jetë gjithmonë i gatshëm t’i përgjigjet çdo thirrjeje për dialog, por dialog produktiv mund të bëhet vetëm me një bashkëbisedues të besueshëm dhe konstruktiv, gjë që Kurti nuk është dhe nuk ka qenë kurrë”, tha Petkoviç, duke iu kundërpërgjigjur Kurtit, pasi ky i fundit tha në një konferencë për media se takimi mes tij dhe Vuçiçit dështoi për fajin e palës serbe.
Petkoviç, vlerëson se çështja kryesore për të matur përkushtimin e palëve për dialog është formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është testi i vetëm i besueshëm i lakmusit për të matur konstruktivitetin dhe përkushtimin e dikujt për dialog”, shtoi ai.
Po ashtu, Petkoviç i bëri thirrje kryeqeveritarit Kurti që përmbushë detyrimet nga Marrëveshja e Brukselit.
Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, gjatë një interviste në RTK të martën, ka theksuar se “nuk është problem as tragjedi“, kur është pyetur për dështimin e takimit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, që pritej të ndodhte para pushimeve verore.
Lajçak, konsideron që “më e rëndësishmja është se të dy liderët, kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiç kanë rënë dakord që të takohen rregullisht“.
“Ata janë dakorduar që dialogun ta dërgojnë në atë nivel dhe në të njëjtën kohë në duhet të sigurohemi që ky takim i tretë, i treti takim zyrtar në Bruksel të jetë pozitiv dhe të jap rezultate konkrete”, tha ai.
“Pas vlerësimit të situatës vendosem që është më mirë të presim pak dhe të sigurohemi që takimi të jetë i mirë”.
Por, diplomati sllovak, shtoi se takimi mes Kurtit dhe Vuçiç-it nuk duhet të vonohet.
“Por definitivisht nuk do të humbas kohën time e të punoj për takimin e radhës pa vonesë. Qoftë fundi i gushtit apo fillimi i shtatorit. Nuk shoh asnjë arsye për të pritur përtej kësaj”.