Petkoviq: Kosova dëshiron ta tërheq Serbinë në konflikt me NATO-n

Petkoviq: Kosova dëshiron ta tërheq Serbinë në konflikt me NATO-n

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i akuzoi autoritetet e Kosovës për “luftënxitje”, duke thënë se “misioni i tyre obsesiv” është që “ta tërheqin Serbinë në konflikt me NATO-n”.

Komentet vijnë një ditë pasi autoritetet në Kosovë mbyllën pesë institucione paralele serbe në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe.

Sipas tyre, ato udhëhiqeshin nga Serbia dhe cenonin kushtetutshmërinë dhe ligjet e Kosovës.

Veprimi nxiti reagimin e Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera perëndimore, të cilat e cilësuan si “të pakoordinuar” me aleatët perëndimorë dhe me rrezik për sigurinë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se është “i shqetësuar me dhunën” dhe për “shkeljen e përsëritur të të drejtave të serbëve”.

Në komunikatën lëshuar mediave, Petkoviq kritikoi, po ashtu, pjesëmarrjen e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në forumin e sigurisë, Globsec, që po zhvillon punimet në Pragë.

Sipas tij, është e pabesueshme që përfaqësuesit e komunitetit politik dhe akademik evropian, të mbledhur në Globsek, “tolerojnë praninë e përfaqësuesve të Prishtinës në një forum që duhet të merret me paqen dhe sigurinë në kontinentin tonë”.

Related Articles