Petkoviq: Bisedimet në Bruksel të ngarkuara si pasojë e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në KE

Petkoviq: Bisedimet në Bruksel të ngarkuara si pasojë e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në KE

Drejtori i së ashtuquajturës zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka folur pas takimit në Bruksel, duke thënë se bisedimet e sotme ishin të gjata dhe të vështira, të rënduara nga vendimi i “njëanshëm dhe i paligjshëm”, siç e quajti ai, i Prishtinës për të aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Sapo përfundova bisedat e gjata dhe të vështira. Bisedimet e sotme u rënduan nga vendimi i njëanshëm dhe antievropian i Prishtinës për të aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Por fakti që jemi edhe sot këtu në Bruksel tregon se jemi një palë e përgjegjshme, e cila mbi të gjitha kujdeset për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Dhe nëse dikush na sulmon, dhe ka pasur nga ata në javët e kaluara që na sulmuan dhe na akuzuan se ne jemi ata që duam të destabilizojmë Ballkanin Perëndimor, ata ende mund të shohin sot, se ne jemi pala përgjegjëse, sepse ne jemi këtu dhe po themi “Le të flasim,””, tha Petkoviq.

Ai ka shtuar se këtë takim e ka shfrytëzuar edhe për të protestuar “kundër vendimit të njëanshëm të kundërligjshëm të Prishtinës”.

“Biseduam për tema të shumta dhe të rëndësishme. Para së gjithash, atyre që janë të rëndësishme për serbët në Kosovë. Folëm për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, pasi që kemi hyrë në vitin e dhjetë të refuzimit për të formuar këtë Asociacion nga ana e Prishtinë. Kjo është një çështje e rëndësishme, kyçe për ne për normalizimin e marrëdhënieve”, tha Petkoviq.

Ndër të tjera u diskutua për çështje ekonomike si dhe për personat e pagjetur.

“Është përmendur edhe liria e lëvizjes, si dhe ndalimi i hyrjes së politikanëve serbë në Kosovë, por Prishtina po refuzon çdo iniciativë për dialog”, ka shtuar Petkoviq.

As sot nuk ka pasur takim të drejtpërdrejtë ndërmjet përfaqësuesit të Kosovës, Besnik Bislimit dhe Petkoviqit dhe sipas përfaqësuesit serb, “një nga arsyet kryesore është refuzimi për të diskutuar për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe dhe çështjen e të pagjeturve”.

“Ne jemi këtu për të ruajtur paqen dhe stabilitetin, jemi këtu për të luftuar, nuk pajtohemi me shantazhe, por nga ana tjetër, si palë përgjegjëse e kuptojmë rëndësinë e dialogut”, ka theksuar Petkoviq.

Related Articles