Petkoviq e quan Kurtin “fëmijë ideologjik të Enver Hoxhës”

Petkoviq e quan Kurtin “fëmijë ideologjik të Enver Hoxhës”

Drejtori i së ashtuquajturës Zyra për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq, ka bërë një reagim idhnak ndaj letrës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili e kundërshton ftesën e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaqevski, që Kosova t’i bashkohet samitit të iniciativës “Ballkani i Hapur” në Shkup, që pritet të mbahet më 7 dhe 8 qershor të këtij viti.

“Kurti, si fëmijë ideologjik i Enver Hoxhës, me një politikë të tillë do të dëmtojë të gjithë ata që jetojnë në Kosovë e Metohi, dhe pyetja e vetme është se sa familje dhe të rinj do të shkatërrohen ekonomikisht në këtë proces, duke i privuar nga perspektiva dhe shanset jetësore”, deklaroi Petkoviqi, raportojnë mediat serbe.

“Është e kuptueshme që një njeri që përmbysi kamionë sa dje, sepse në to kishte mallra me një deklaratë që nuk i pëlqente, sot është kundërshtar i konceptit të lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve”, vijon me akuza Petkoviqi ndaj kryeministrit Kurti.

Kreu i ekzekutivit para dy ditësh, nëpërmjet një letre kthyese ndaj homologut të tij maqedonas, ka kundërshtuar jo-drejtpërdrejt iniciativën rajonale ‘Ballkani i Hapur’, duke thënëse Kosova është e angazhuar në mënyrë aktive në Procesin e Berlinit, i cili sipas tij, mbulon shumë iniciativa rajonale.

“Për këtë qëllim, ne jemi të angazhuar në mënyrë aktive në Procesin e Berlinit, i cili mbulon shumë iniciativa rajonale, duke përfshirë Tregun e Përbashkët Rajonal (CRM), i cili u miratua nga të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në samitin e Sofjes në 2020 dhe u miratua dhe u mbështet plotësisht nga Bashkimi Evropian”, ka deklaruar ndër të tjera Kurti.

Kosova, njësoj sikurse Bosnja dhe Hercegovina, ka kundërshtuar të jetë pjesë e kësaj iniciativë. Frymë kundershtuese deri më tani ka pasur edhe në Mal të Zi për “Ballkanin e Hapur”, deri me ardhjen e Dritan Abazoviqit si kryeministër. Ky i fundit iu është përgjigjur pozitivisht ftesës së Vuçiqit që të marrë pjesë në Samitin e radhës në kuadër të “Ballkanit të Hapur”. 

Related Articles