Drejtori i së ashtuquajturës “Zyra për Kosovën” të Qeverisë së Serbisë, Petar Petkoviq, tha se fitues të zgjedhjeve në veri të Kosovës janë “populli serb në Kosovë, i cili i bojkotoi këto zgjedhje sepse nuk dëshiron okupimin”.
“Kjo është një disfatë për atë pjesë të bashkësisë ndërkombëtare që e mbështeti [kryeministrin e Kosovës, Albin] Kurtin dhe deklaroi se do t’i njohë rezultatet” e zgjedhjeve, tha Petkoviq në konferencën për media të mbajtur në Beograd.
Në Veriun e Kosovës sot janë organizuar zgjedhjet lokale të cilat u karakterizuan me pjesëmarrje të ulët të votuesve.
Bazuar në të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), deri në orën 15:00 numri i votuesve ka qenë 2.4 për qind.
Në ora 19:00 vendvotimet do të mbyllen, për t’u shpallur më pas rezultatet pas numërimit të votave.
Lista Serbe që dirigjohet nga Beogradi ka bojkotuar zgjedhjet duke iu bërë thirrje serbëve lokalë që të mos marrin pjesë në votimet e 23 prillit.