Petkoviq: Insistuam për Asociacionin dhe prezantuam planin për deeskalim në veri të Kosovës

Petkoviq: Insistuam për Asociacionin dhe prezantuam planin për deeskalim në veri të Kosovës

Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se gjatë takimit trepalësh në Bruksel me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Peter Sorensen, ka insistuar për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe ka paraqitur një plan “për deeskalim të situatës në veri” të Kosovës, transmeton “RTS”. 

Ai tha se bisedimet ishin të mundimshme dhe se këmbënguli në normalizimin e marrëdhënieve që duhet filluar “me deeskalim dhe formimin e AKS-së”. 

Petkoviq shtoi se ka konfirmuar pjesëmarrjen e delegacionit serbë në Gjenevë më 26 qershor në takimin e grupit punues për çështjen e personave të pagjetur. 

Ai tha se u diskutua të martën edhe për çështjet e energjisë. 

“Por, gjëja më e rëndësishme është që AKS-ja duhet të formohet dhe diskutimi për statutin e AKS-së të vazhdohet. Këtu u ndal një vit e gjysmë më parë. Prishtina nuk donte të vazhdonte diskutimin e çështjes. Dhe pastaj u mor vendimi i tmerrshëm për heqjen e dinarit. Ne duhet të diskutojmë për statutin dhe ta themelojmë AKS-në. Unë fola edhe për mbylljen e institucioneve serbe dhe faktin se populli serb u privua prej tyre. Detyra jonë është të luftojmë për popullin serb”, tha Petkoviq. 

Ai shtoi se ka paraqitur edhe një plan për deeskalim gjatë takimit. 

Petkoviq tha se Sorensen kërkoi të fliste edhe për vizitat, porse i tha atij se është e nevojshme të dihet se cilat janë prioritetet. 

I pyetur se ku qëndron dallimi mes Miroslav Lajçakut dhe Sorensenit, Petkovit tha se është me rëndësi “të luftohet për përparim në dialog”. 

“Ekziston një vullnet i qartë politik nga ana e Beogradit. Ne e kemi pritur këtë për një kohë të gjatë, kur bëhet fjalë për Prishtinën. Nuk do të doja ta gjykoja z. Sorensen bazuar në takimin e parë trepalësh. Thjeshtë duhet t’i japim atij mundësinë ta tregojë veten dhe te shohim se si do të duket rezultati në dialog nën ndërmjetësimin e tij”, tha Petkoviq. 

Petkoviq tregoi se është rënë dakord që bisedimet të vazhdojnë në nivel teknik në fillim të korrikut, pra nga kryenegociatorët, dhe se ndërkohë bashkëpunëtorët e Sorensenit do ta vizitojnë Beogradin dhe Prishtinën. 

Related Articles