Kyenegociatori i Beogradit, Petar Petkoviq, pas arritjes së marrëveshjes në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se marrëveshja e arritur ka ruajtur paqen dhe ka mbrojtur popullin serb në veri të Kosovës.
“Me këtë marrëveshje nga ora 08:00, nesër nuk ka gjoba prej 150 eurosh të planifikuara nga Kurti, as politika ndëshkuese ndaj serbëve që vozisin vetura me targa KM, as politika ndëshkuese në të gjitha fazat tjera. Me këtë marrëveshje kemi ruajtur paqe dhe arritëm të mbrojmë popullin tonë në veri të Kosovës”, ka thënë Petkoviq, raporton KO.
Sipas tij, targat e lëshuara nga Serbia mbeten në fuqi, gjegjësisht do të jenë në përdorim si më parë.
“Kjo do të thotë që të gjithë pronarët e makinave do të mund të regjistrojnë targat normalisht, i vetmi vend ku do të ndalemi është nxjerrja e targave të reja KM derisa të gjejmë një zgjidhje përfundimtare për çështjen e targave, por gjithsesi tre vitet e fundit ato targat e KM nuk janë lëshuar. Kurti sonte ka pranuar gjithçka që ka refuzuar ditët e kaluara dhe kjo është e rëndësishme. Arritëm ta ruajmë paqen, dialogu dhe bisedimet vazhdojnë sepse duhet të shkojmë për normalizimin e marrëdhënieve para së gjithash për tokë, edhe serb edhe shqiptarë, të gjithë serbëve në Kosovë po u them të flenë të qetë, ne i ruajtëm targat KM”, tha Petkoviq.