Petar Petkoviq ka deklaruar sot për televizionin serb në shërbim të pushtetit, “TV Pink” se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të ketë “bisedime të rëndësishme” sot dhe nesër dhe se do ta informojë opinionin për konkluzionet dhe “gjithçka që Serbia do të ndërmerr kur të vijë koha”.
“Ne duhet të bëjmë absolutisht gjithçka për të ruajtur paqen dhe stabilitetin, por ne kemi thënë qartë se cilat janë linjat tona të kuqe kur bëhet fjalë për Kosovën”, ka thënë Petkoviq.
Ai ka pretenduar se “askush nuk mund të dëbojë, kërcënojë dhe ngacmojë popullin serb në Kosovë” dhe se “shefi i tij këtë ua ka bërë shumë të qartë përfaqësuesve ndërkombëtarë”.
“Presidenti Vuçiq ka pasur një numër të madh bisedash mbrëmë dhe pothuajse gjatë gjithë natës, kemi qenë në kontakt, ai e ka përcjellë situatën, kemi biseduar për gjithçka, veçanërisht me njerëzit tanë në veri të Kosovës”, ka thënë Petkoviq.
Ai ka pretenduar se në situata të tilla, “kur njerëzit janë të frikësuar dhe të shqetësuar, nuk është e lehtë dhe e gjithë kjo duhet të merret parasysh kur bëhet një politikë paqeje dhe stabiliteti”.