Drejtori i të ashtuquajturës zyre serbe për Kosovën, Petar Petkoviq, ka pretenduar se “në Kosovë ka mbretëruar paniku” pas marrëveshjes për targat që u arrit mbrëmë në Bruksel.
Petkoviq ka deklaruar në Twitter se media prishtinase “Koha” ka publikuar një artikull në të cilin thuhet rrejshëm se ai ka deklaruar pas takimit në Bruksel se pas marrëveshjes së arritur për targat, duhet të nisin negociatat për propozimin franko-gjerman.
“Panik në Prishtinë për shkak të marrëveshjes! Koha ka publikuar një tekst në të cilin ka falsifikuar deklaratën time. Disa fjali janë tërësisht të fabrikuara! Me luftën informative, Prishtina po mundohet t’i fshehë rezultatet e marrëveshjes për targa! I kemi ruajtur targat KM”, ka shkruar Petkoviq.
“Me këtë marrëveshje nga ora 8 e nesërme nuk ka gjoba prej 150 eurosh të planifikuara nga Kurti, as politika ndëshkimore ndaj serbëve që vozisin vetura me targa KM, as politika ndëshkuese në të gjitha fazat tjera. Me këtë marrëveshje ne kemi ruajtur paqen dhe arritëm të mbrojmë popullin tonë në veri të Kosovës”, ka pretenduar Petkoviq.
Sipas fjalëve të tij, targat e lëshuara nga Serbia mbeten në fuqi, gjegjësisht do të jenë në përdorim si më parë.
“Kjo do të thotë që të gjithë pronarët e veturave do të mund të regjistrojnë targat normalisht, vetëm që më nuk do të lëshojmë targa të reja KM derisa të gjejmë një zgjidhje përfundimtare për çështjen e targave, por gjithsesi tre vitet e fundit ato targa me KM nuk janë lëshuar. Kurti sonte ka pranuar gjithçka që ka refuzuar ditët e kaluara dhe kjo është e rëndësishme, arritëm të ruajmë paqen, dialogu dhe bisedimet vazhdojnë sepse duhet të shkojmë për normalizimin e marrëdhënieve para së gjithash në terren, si te serbët ashtu edhe te shqiptarët. Të gjithë serbëve në Kosovë u them të flenë të qetë, ne i ruajtëm targat KM”, tha Petkoviq.