Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka lëshuar një deklaratë pasi Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani përsëriti se Asociacioni i komunave me shumicë serbe me kometenca ekzekutive nuk do të formohet.
Petkoviq tha se Osmani po i lexon në mënyrë selektive mesazhet politike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Por duket se mesazhet politike nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të vlefshme për Osmanin në mënyrë selektive, ashtu si të gjitha marrëveshjet e nënshkruara deri më tani në Bruksel janë selektive për të dhe Kurtin”.
“Nëse Vjosa Osmani i ka lexuar njoftimet nga 21 tetori dhe 4 nëntori nga fillimi deri në në fund dhe me mirëkuptim, ajo do të kujtonte se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani midis Beogradit dhe Prishtinës, pa justifikim dhe përjashtim, duke përfshirë formimin e Asociacionit”, thuhet në deklaratën e Petkoviq.
Ai tha se Serbia nuk do të heqë dorë nga Asociacioni.
“Pikërisht për shkak të sigurisë dhe gjumit të tyre të qetë, ne kurrë nuk do të heqim dorë nga kërkesat dhe përpjekjet për formimin e Asociacionit të komunave serbe në Kosovë”, deklaroi Petkoviq.
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë dje se një asociacion i komunave serbe me kompetenca ekzekutive do të ishte prelud i krijimit të një “Republika Srpska”.
Ajo gjatë një diskutimit për të ardhmen e Kosovës dhe sfidat e rajonit në kuadër të Shkollës së Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare “John Hopkins”, ka thënë se ky asociacion nuk do t’i shkaktonte probleme vetëm Kosovës, por edhe aleatëve.
“Zbatimi nuk është prelud vetëm i krijimit i një “Republika Srpska” por shkon kundër investimeve për stabilitet që partnerët tanë që kanë bërë me vjet. Nuk është e mirë as për partnerët, do t’u shkaktojë kokëdhimbje. Edhe ju do të përballeni me këtë mostabilitet”, është shprehur Osmani./Gazeta Enigma/