“Pezullimi i dialogut strategjik nga ShBA prek të ardhmen e Kosovës”

“Pezullimi i dialogut strategjik nga ShBA prek të ardhmen e Kosovës”

Aleatja e Kosovës, SHBA-ja, e ka pezulluar deri në një afat të pacaktuar, dialogun strategjik me Kosovën.

Teksa fqinji agresor, Serbia, pritet në fund të vitit të ndërtoj një dialog të tillë me ShBA-të, krerët kosovar gjenden në Amerikë, në një tentativë për të rregulluar këto raporte të krisura, shkruan Gazeta “Enigma”.

Njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Akri Çipa, thekso se pezullimi i dialogut strategjik nga ana e ShBA-së me Kosovën është një paralajmërim serioz.

“Pavarësisht se mund të debatojmë mbi meritat ose jo të vendimit të Shteteve të Bashkuara për pezullimin e dialogut strategjik me Kosovën, një gjë është e qartë: ky vendim përbën një paralajmërim serioz për Kosovën dhe sinjalizon humbje besimi nga aleati më i rëndësishëm ndërkombëtar. Edhe nëse argumentohet se ky ka qenë një veprim i gabuar nga ana e Uashingtonit, pasojat i vuan Kosova, si dobësimin e kredibilitetit në arenën ndërkombëtare, edhe ngadalësimin e proceseve të integrimit euro-atlantik. Megjithatë, ka ende hapësirë për reflektim. Njoftimi i ambasadës e bëri të qartë se bëhet fjalë për pezullim dhe jo për anulim të dialogut”, tha Çipa për Enigmën.

Tutje, ai potencoi se ky veprim ndaj Kosovës e prek të ardhmën e vendit në tërësi.

“Thelbësore është që i gjithë spektri politik në Kosovë të ketë qartësi mbi koston e veprimeve ose të mosveprimeve. Përtej polarizimit të brendshëm, kjo është një çështje që prek të ardhmen e Kosovës në tërësi, jo vetëm fatin e një qeverie të caktuar apo të një individi politik. Mbi të gjitha për faktin se ky zhvillim ndodh në një kontekst rajonal që Kosova nuk mund ta anashkalojë. Në fakt, është njoftuar dakordësimi për mbajtjen e një dialogu strategjik ndërmjet SHBA-së dhe Serbisë. Në këtë kuadër, ngrirja e dialogut të Kosovës me Uashingtonin është veçanërisht shqetësuese, sepse ndodh pikërisht në momentin kur aktorë të tjerë rajonalë po forcojnë marrëdhëniet e tyre me aleatin më të rëndësishëm të vendit”, përfundoi Çipa për Enigmën./GazetaEnigma/

LEXO EDHE:

Related Articles