Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë shënuar një tjetër hap drejt bashkëpunimit të ndërsjellë, me hapjen e një pikëkalimi të ri të përbashkët kufitar mes dy vendeve.
Pikëkalimi Glloboçicë – Jazhincë tashmë është funksional dhe qytetarët që kalojnë përmes tij do t’i nënshtrohen një kontrolli të përbashkët kufitar, sipas parimit “Hyrje – Hyrje”, i njëjti model që po aplikohet edhe në pikën Han i Elezit – Bllacë, e cila u inaugurua më 12 prill të këtij viti.
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë Ministri i Punëve të Brendshme në detyrë, Xhelal Sveçla, Zëvendëskryeministri i Parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, dhe ministri homolog, Pançe Toshkovski.
Përmes një postimi në Facebook, Sveçla e ka quajtur këtë veprim “dëshmi të bashkëpunimit të suksesshëm që gëzojnë shtetet tona dhe ministritë tona të brendshme”.
“Ky hap tejet i rëndësishëm për qytetarët tanë është dëshmi e radhës mbi bashkëpunimin e suksesshëm që gëzojnë shtetet tona dhe ministritë tona të brendshme. Mbi vlerat më të mira do të vazhdojmë punën e përbashkët që ndikon edhe në ngritjen e sigurisë për vendet tona dhe për mbarë rajonin tonë”, ka shkruar Sveçla.
Ai theksoi se bashkëpunimi me Maqedoninë e Veriut do të thellohet edhe më tej, në frymën e fqinjësisë së mirë dhe interesit të përbashkët për siguri dhe qarkullim të lirë të qytetarëve.