Pjesëtarët elitarë të Policisë pezulluan protestën, Kurti: Rrezikshmëria zvogëlohet me investime në pajisje

Pjesëtarët elitarë të Policisë pezulluan protestën, Kurti: Rrezikshmëria zvogëlohet me investime në pajisje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se rrezikshmëria për policinë zvogëlohet duke investuar në pajisje e mjete moderne më shumë sesa me shtesa për rrezikshmëri.

Në ditën kur Njësiti Special Intervenues pezulloi protestën e dytë për pakënaqësitë me shtesat e rrezikshmërisë, Kurti ka lavdëruar qeverisjen e tij për investime në pajisje e mjete të punës për Policinë.

“Ne jemi të interesuar që ta zvogëlojmë rrezikshmërinë për policinë tonë, por kjo zvogëlohet pikërisht duke investuar në pajisje dhe mjete të punës. Dallimi në investime sa i për ketë mjeteve të punës dhe pajisjeve të cilat e ulin rrezikshmërinë për policinë tonë, sivjet është 21 herë më i lartë se sa para dy vjetësh”.

“Në vitin 2021 investimi ka qenë më pak së gjysmë milioni euro, sivjet është mbi 9 milionë euro. Ne po investojmë shumë në zvogëlimin e rrezikshmërisë për policinë tonë dhe pa dyshim që unë do t’i takoj, do t’i kontaktoj dhe do të shohim se çfarë me tutje. Por ta keni parasysh që në të njëjtën kohë unë tashmë e kamë dhënë qëndrimin dhe ka edhe shtesa jashtë orarit, ka edhe shtesa për rrezikshmërinë, do të këtë investime të vazhdueshme në policinë tonë”.

“Po e përmbyll duke potencuar se rrezikshmëria zvogëlohet para së gjithash e mbi të gjitha me mjete e pajisje pune gjithnjë e më moderne më parë se sa shtesa përkatëse”, ka thënë ai para gazetarëve në Pejë, nga vizita në Qendrën Nacionale të Xhudos ku përfundoi trajnimi i pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Pjesëtarët e Njësitit Special Intervenues, njësiti më elitar i Policisë së Kosovës, kanë protestuar para ndërtesës së Qeverisë të Kosovës më 1 nëntor, duke kërkuar ndryshim të kategorizimit të vendeve të punës dhe shtesa më të mëdha të rrezikshmërisë.

Ata paralajmëruan protestë për sot, por që në mëngjes njoftuan për shtyrje duke thënë se do të takohen me Kurtin.

Related Articles