Pjesëtarët e Policisë të cilët janë të thirrur për të ofruar rend dhe siguri dhe e kanë detyrim denoncimin e rasteve të ndryshme, kurdo dhe kudo që ata janë prezentë, jo rrallëherë futen edhe vet në telashe.
Një rast i tillë dyshohet të ketë ndodhur në rrugën ‘Sylejman Hadumaga’ në Gjakovë, ku një punonjës i Policisë së Kosovës është përfshirë në një rrahje me një fqinj.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë e dije se bëhet fjalë për një pjesëtar të stafit civil dhe i njëjti është ndaluar nën dyshimet se ka kryer veprën penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.
Rastin e përleshjes që dyshohet se ka ndodhur në kafenenë ‘Lord’ e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.
“Rreth orës 14:00 Stacioni Policor-Gjakovë ka arrestuar dy persona meshkuj të moshës madhore në rrugën “Sylejman Hadumaga” të cilët dyshohet se kanë sulmuar njëri tjetrin. Me vendim të prokurorit të shtetit janë ndalur në mbajtje si dhe është iniciuar rast “Lëndim i lehtë trupor””, tha Elezaj.