Plagosen tre gra në Miami pas një debati për zgjedhjet në SHBA

Plagosen tre gra në Miami pas një debati për zgjedhjet në SHBA

Tre gra kanë mbetur të plagosura pas një debate që kanë pasur për zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Policia e Miamit ka njoftuar se kjo ka ndodhur mëngjesin e hershëm të së mërkurës, ku tre gra janë qëlluar me armë zjarri.

Zëdhënësi i policisë së Miamit, Mike Vega, ka thënë se një nga viktimat është në gjendje kritike për jetën, pasi është qëlluar në stomak, raporton CBS News, transmeton Sinjali.

“Kjo është diçka që na shqetëson… Nuk ka vend për dhunë, veçanërisht për një dallim opinionesh në politikë”, ka thënë ai.

Ndërkaq, një dëshmitare e rastit, e cila ishte fqinje, ka thënë se ka dëgjuar të shtënat në orën 12:25 të mëngjesit.

“Dëgjova të shtëna dhe u zgjova papritur…Dëgjova dikë duke bërtitur dhe nuk doja të hapja derën dhe të rrezikoja veten. Dukej se kishte të shtëna shumë të forta.

“Është e tmerrshme. Kushdo që është president tani është president për të gjithë ne, pavarësisht nëse jemi demokratë apo republikanë. Nuk ka rëndësi. Është vendi ynë. Është shumë e trishtueshme që kjo ndodhi”, është shprehur Suly Ashe për CBS News.

Ndërkaq, zëdhënësi i Policisë, Mike Vega, ka bërë të ditur se viktimat e këtij rasti janë rreth moshës 20 dhe 30 vjeçare.

Tutje, ai ka rrëfyer detaje se si ka ndodhur ngjarja.

 “Ata ishin pjesë e një grupi të madh, duke pirë dhe duke kaluar një kohë të mirë. Ata filluan të flisnin për zgjedhjet, dhe njëri nga individët shkoi në një automjet, rrëmbeu një armë dhe filloi të qëllonte. Dëshmitarët thanë se njëri prej tyre u duk i mërzitur, ndoshta i dehur dhe është kthyer në automjet për të marrë armën.

Duket se alkooli, së bashku me diskutimin zgjedhor, e bëri këtë person të shkonte në automjet, të merrte një armë dhe të fillonte të qëllonte. Por kjo nuk është e pranueshme. Ne duhet të trajtojmë dallimet tona dhe të respektojmë besimet e njëri-tjetrit. Ne duhet ose të arrijmë një marrëveshje ose thjesht të shmangim tema të tilla”, ka thënë Vega për CBS News, transmeton Sinjali.

Vega tha se policia nuk e ka konfirmuar nëse vrasësi ishte mashkull apo femër dhe nuk ka dhënë një përshkrim të të dyshuarit.

“Ne gjetëm gëzhoja në vendngjarje, por kemi nevojë për ndihmën e publikut”, tha Vega.

Related Articles