Dy persona kanë mbetur të plagosur rëndë gjatë ditës së premte në Pejë, derisa i dyshuari është arrestuar dhe i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.
Plagosja në Pejë ndodhi pas shpalljes së aktgjykimit, ku u shqiptuan 44 vite burgim për pesë të akuzuarit për vrasjen në Volljakë të Klinës.
Raportohet se vëllai i të vrarit në Volljakë të Klinës, F.H., po dyshohet se për hakmarrje ka plagosur dy persona pasi Gjykata Themelore në Pejë shqiptoi dënimin për pesë të akuzuarit për vrasjen që kishte ndodhur më 2022.
“Betimi për Drejtësi” ka raportuar poashtu se i dyshuari, pasi ishte shpallur aktgjykimi, i kishte pritur viktimat në parking dhe kishte shtënë në drejtim të dy personave. I dyshuari ka zgjedhur të mbrohet në heshtje gjatë marrjes në pyetje pas arrestimit.
Gjendja shëndetësore e të plagosurve
Njëri nga të plagosurit gjendet në Spitalin e Pejës derisa tjetri po merr trajtim në QKUK. Gjendja e të dyve raportohet të jetë stabile.
Mjeku Kujdestar i QKUK, Naser Syla, tha për Klankosova.tv se i pacienti është dërguar në Klinikën e Kirurgjisë Torakale për trajtim të mëtutjeshëm.
Derisa, edhe Spitali i Përgjithshëm i Pejës njoftoi paraditen e sotme se pacienti tjetër që mbeti i plagosur të premten në Pejë poashtu është jashtë rrezikut për jetë.