Po ikte drejt Serbisë: Kapet Egzon Reshani, i shumëkërkuari që nga arratia kërcënonte Policinë në TikTok

Po ikte drejt Serbisë: Kapet Egzon Reshani, i shumëkërkuari që nga arratia kërcënonte Policinë në TikTok

Policia e Kosovës ka arrestuar të shumëkërkuarin Egzon Reshani, i cili dyshohet për disa vepra të rënda penale, përfshirë “vrasje në tentativë” dhe “fajde”.

Reshani, i cili gjatë kohës sa ishte në arrati kishte publikuar video në TikTok ku kërcënonte edhe Policinë e Kosovës, u arrestua në afërsi të kufirit me Serbinë.

Sipas njoftimit të Policisë, arrestimi është bërë më 3 gusht, pak pas orës 22:00, nga zyrtarët e Policisë Kufitare në Stacionin për Mbikëqyrjen e Kufirit Muçivërc (SPMK-Muçivërc).

Gjatë patrullimit dhe mbikëqyrjes së vijës kufitare, në zonën e fshatit Karaqevë e Poshtme, policët kanë identifikuar një automjet të dyshuar që po lëvizte nga fshati Breznicë në Serbi në drejtim të territorit të Republikës së Kosovës.

Pas ndalimit të automjetit në fshatin Novosellë, pasagjeri, i identifikuar si Egzon Reshani, ka tentuar t’u shmanget zyrtarëve policorë duke ikur me vrap në drejtim të vijës kufitare, përkatësisht drejt fshatit Breznicë në Serbi.

Zyrtarët policorë kanë reaguar menjëherë dhe, pas veprimeve operative, kanë arritur ta ndalojnë dhe arrestojnë në afërsi të vijës kufitare, duke parandaluar largimin e tij nga territori i Republikës së Kosovës.

Sipas Policisë, ndaj Reshanit ishte në fuqi një urdhërarrest dhe ai kërkohej nga organet e drejtësisë për veprat penale “vrasje në tentativ딓fajde”“privim i kundërligjshëm i lirisë” dhe “detyrim”.

Gjatë kontrollit personal, policia i ka gjetur dhe sekuestruar edhe një thikë. Lidhur me këtë rast është njoftuar prokurori kompetent, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “armëmbajtje pa leje”.

Pas përfundimit të procedurave nga Policia Kufitare, i dyshuari u është dorëzuar njësive kompetente të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren për procedurat e mëtejshme sipas urdhërarrestit dhe rasteve për të cilat kërkohej.

Related Articles