Ish-lojtari i Manchester Unitedit, 36-vjeçari Darron Gibson, tregoi se si ishte i varur nga pilulat e gjumit pas përfundimit të karrierës së tij si futbollist.
Futbollistët shpeshherë përfundojnë me probleme të ndryshme pas pensionimit dhe njëri nga ta është edhe Gibson, i cili ka treguar varësinë e tij.
“Unë as që punoja në atë kohë. Shikoj fotot nga ajo kohë dhe shoh sa keq dukesha. Po merrja 12 deri në 14 pilula për gjumë çdo ditë. Po të kisha vazhduar do të kisha vdekur”, ka thënë fillimisht Gibson.
“Nuk fola asnjëherë për pilulat. Gruaja ime e dinte që po i merrja, por nuk e kishte idenë se sa ishin. Unë i fsheha mirë, e merrja pilulën kur thosha se do të marr një gotë ujë”.
“Në një moment rashë në tokë. Menduan se ishte epilepsi, por jo. Pastaj doktori më tha se truri dhe zemra ime ishin mirë”, përfundoi irlandezi.
Anglezët njoftuan se, sipas Shoqatës së Lojtarëve Profesionistë, 120 lojtarë aktivë apo ish-lojtarë kishin të njëjtën varësi, përcjellë Telegrafi.
Gibson ishte një lojtar i United nga 2005 deri në 2012, dhe gjithashtu luajti për Royal Antwerp, Wolves, Everton, Sunderland, Wigan dhe Salford City.
Ky mesfushor ka luajtur 27 herë për kombëtaren irlandeze dhe ka shënuar një gol.