Podujeva i transferon 270 mijë euro për të mbuluar shpenzimet për lëndë djegëse e ushqim

Podujeva i transferon 270 mijë euro për të mbuluar shpenzimet për lëndë djegëse e ushqim

Kuvendarët e Podujevës e kanë miratuar propozimvendimin për transferimin e 270 mijë eurove për të mbuluar shpenzimet për lëndë djegëse dhe ushqim në sektorin e arsimit. Për shkak të rritjes së çmimit, sipas zyrtarëve komunalë, ky sektor i ka shpenzuar mjetet për këto kategori dhe pa mjete shtesë nuk mund t’i mbulojë shpenzimet deri në fund të vitit.

“Bëhet fjalë për transferim të buxhetit të Komunës së Podujevës për vitin 2023. Në bazë të Ligjit për vetëqeverisje lokale dhe Ligjit për financa publike, ne kemi të drejtën deri në 5 për qind të buxhetit t’i ndryshojmë kategoritë. Jo për transferim brendapërbrenda projekteve, por bëhet fjalë për ndryshime të kategorive të cilat janë të përcaktuara në qarkoren buxhetore edhe rrjedhimisht edhe në planifikimin buxhetor për vitin 2023”, ka thënë gjatë seancës Fatlum Osmani, drejtor për Buxhet dhe Financa.

Sipas tij, arsyeja e këtij propozimi për transferim të këtyre mjeteve është se në sektorin e arsimit për shkak të lëvizjeve të madha të çmimeve, kryesisht të lëndëve djegëse dhe të ushqimit, janë duke u përballur me mungesë të buxhetit.

“Në bazë të analizës tonë është e pamundur që shpenzimet në kategorinë e mallrave të mbulohen deri në fund të vitit nga buxheti që ka qenë i planifikuar në sektorin e arsimit. Edhe tash bëhet fjalë për transferimin nga disa projekte të cilat kanë një dinamikë më të vogël të shpenzimeve por edhe në disa projekte në të cilat kanë teprua mjete buxhetore në bazë të kontratave të lidhur në pjesën e parë, që të njëjtat me u transferua në kategorinë e mallrave në sektorin e arsimit fillor”, ka thënë ai.

Këtë propozimvendim e ka përkrahur partia në pushtet LVV. Ndërkohë, LDK-ja ka dalë me një kundërpropozim. Naim Çunaku nga kjo parti ka kërkuar që gjysma e mjeteve të shkojnë për rregullimin e shtretërve të lumenjve.

“Nuk pajtohemi që mjetet e kapitaleve të barten për mallra dhe shërbime. Të gjitha këto mjete është propozuar të barten nga investimet kapitale në kategorinë mallra dhe shërbime. Dëgjuam disa arsyetime se ka mungesë të fondeve në Drejtorinë e Arsimit. Por në dëgjimet publike drejtori ka thënë se kemi shtim të buxhetit. Unë propozoj, që këto mjete për rialokim të paktën një pjesë e tyre të kalojë në rregullimin e pikave të ndjeshme, ku qytetarët po kanë probleme. Të paktën 150 mijë euro të alokohen në rregullimin e shtretërve të lumenjve, gjegjësisht eliminimin e rrezikut”, ka thënë ai.

Por, drejtori për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Bahri Selimi, ka thënë se këto mjete nuk mjaftojnë për të eliminuar problemet me vërshime.

“Unë po besoj që sa i përket kësaj ndarje, ne jemi në fazën e inicimit të projekteve të reja që i kemi bërë me ministrinë. Ne jemi t’u prit me nisë një projekt shumë të madh me Ministrinë e Infrastrukturës që e zgjidh këtë problem”, ka thënë ai.

E drejtori Osmani ka theksuar se 270 mijë euro janë minimumi që u duhen për përfundimin e vitit arsimor dhe se është e pamundur të alokohen diku tjetër.

Propozimvendimi është miratuar me shumicë të votave.

Related Articles