Njohësi i çështjeve të sigurisë, Bedri Elezi, ka deklaruar se i arratisuri nga burgu i Kosovës, Faton Hajrizi, kishte shkuar deri në Lloznicë me një taksist, duke shfrytëzuar një rrugë që shfrytëzohet nga bandat kriminale për trafikim me qenie njerëzore.
Elezi ka thënë të enjten në “Konfront” të KTV-së se sipas një raporti të autoriteteve serbe që e posedojnë edhe ndërkombëtarët, Hajrizi ka kaluar në rrugën ku zhvillohet kriminalet, e ka refuzuar të legjitimohet nga autoritetet serbe pasi u ndalua.
“Sipas një raporti të ndarë me institucionet ndërkombëtare të sigurisë, autoritetet e Serbisë thonë se taksisti ka deklaruar se të dyshuarin e ka marrë me veturë nga Presheva për ta dërguar në kufirin me Bosnjë. Ky është një kanal i trafikimit të qenieve njerëzore. Janë refugjatët sirianë dhe vendet nga luftëra të ndryshme që përdorin këtë kanal për të shkuar në vendet e BE-së. Është kanal i njohur ndërkombëtarisht, këtë punë e bëjnë kryesisht agjentë të BIA-s për t’u pasuruar dhe për të kaluar në Bosnjë, e më pas është një trekëndësh me Kroacinë. Ky veprim ka qenë pa dijen e kapove që janë marrë me këtë biznes, e taksi u ndalua në rrugën ku e përdorin si kanal dhe ka rënë në dyshim për shkak se ata s’kanë qenë në njohuri. Në rastin konkret ka qenë i ndaluar nga dy zyrtarë të autoriteteve të Serbisë për t’u legjitimuar nëse ka të bëjnë me biznesin e tyre dhe i njëjti ka refuzua të legjitimohet”, është shprehur Elezi.
Njohësi i çështjeve të sigurisë ka shtuar se Hajrizi e kishte grushtuar një zyrtar policor dhe pastaj ia kishte marrë revolen.
Ka arritur të grushtojë njërin nga zyrtarët e Policisë , t’i marrë revolen dhe t’i shkrepë 9 plumba dhe të largohet nga vendi, duke i kërcënuar të pranishmit me armë në dorë. Prandaj, shoqëruesi ka arritur të arratiset por është kapur nga autoritetet e Bosnjës. Është vepër kriminale, por s’ka të bëjë me pretendimet e Serbisë për terrorizëm”, ka shtuar ai.