Sindikata e Policisë së Kosovës ka shprehur shqetësimin e saj për vonesat në pagesën e ndërrimeve të natës dhe orëve shtesë për zyrtarët policorë, duke theksuar ndikimin negativ që kjo situatë ka në mirëqenien e tyre.
Sipas Sindikatës, policët ende nuk e kanë marrë pagën e merituar, një problem që po krijon pasiguri dhe vështirësi në planifikimin e angazhimeve të tyre familjare dhe personale.
Ata theksojnë se pavarësisht përkushtimit dhe sakrificës së vazhdueshme, nuk ka pasur ndonjë komunikim zyrtar nga Qeveria për këtë çështje.
Sindikata i bën thirrje Ministrisë së Financave që të ekzekutojë menjëherë pagesat e prapambetura dhe të sigurojë kompensimin e plotë për ndërrimet e natës dhe orët shtesë, në përputhje me të drejtat ligjore të zyrtarëve policorë.
“Sindikata e Policisë së Kosovës do të ndjekë këtë çështje nga afër dhe nuk do të hesht derisa të realizohet pagesa e plotë e të gjitha kompensimeve të papaguara”, thuhet në reagimin e Sindikatës.