Një krim i rëndë brenda familjes me 4 viktima ka tronditur Nju Jorkun. Oficeri i policisë Uatson Morgan në rrethana ende të paqarta ka vrarë gruan e tij, një shtetase amerikane me origjinë shqiptare e identifikuar si Ornela Rori, dy djemtë e tyre 10 dhe 12 vjeç dhe më pas ka vrarë edhe veten.
Nuk dihet me saktësi se kur ka ndodhur krimi, por policia e Nju Jorkut e zbuloi ngjarjen vetëm fundjavën e shkuar, pasi reshteri Uatson nuk u paraqit në punë.
Agjentë të policisë së Nju Jorkut shkuan në shtëpinë e tij në periferi dhe gjetën brenda saj 4 trupat e pajetë të vrarë me armë zjarri.
Gjatë kontrollit në banesë policia gjeti edhe një pistoletë me të cilën dyshohet se janë kryer të gjitha vrasjet.
“Në këtë fazë të hetimit, besohet se Uatson vrau gruan dhe dy fëmijët e tij, përpara se të vriste veten me një plagë të vetëshkaktuar me armë zjarri”, tha në një deklaratë departamenti i policisë.
“Unë kurrë nuk do të prisja që ai ta bënte diçka të tillë. Fëmijët luanin gjithmonë jashtë dhe nëna e tyre ishte personi më i ëmbël që kam takuar ndonjëherë”, u shpreh një prej fqinjve të familjes Morgan për mediat amerikane.
49-vjeçari nisi punën si polic në qytetin e Nju Jorkut në vitin 2000, ndërsa 45-vjeçarja me origjinë nga Korça punonte si mësuese në një shkollë publike.