Podujevë: I mituri publikon fotografi me armë në dorë, përfundon në Polici

Podujevë: I mituri publikon fotografi me armë në dorë, përfundon në Polici

Publikimi i videove e fotove të ndryshme në rrjete sociale shpesh po i fut kosovarët në sherr me Policinë.

Ata jo rrallë herë dalin të jenë merakli të mbajtjes së armëve, kryesisht pa leje dhe me ekspozimin e tyre në rrjete sociale, shpesh tentojnë të shfaqen si të “fortë” dhe të pakapshëm për organet e rendit.

Njëjtë veproi edhe një person i mitur në fshatin Kërpimeh të Podujevës, i cili u zbulua pasi publikoi fotografi ku shihej me armë në dorë.

Sinjali mëson se njësitë policore janë njoftuar lidhur me rastin dhe kanë intervenuar menjëherë. 15-vjeçari ka dorëzuar armën që dyshohet se e kishte përdorur në një aheng familjar dhe më pas i njëjti është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar nga organet e hetuesisë në prezencën e babait të tij.

Me urdhër të prokurorit, i dyshuari do të hetohet në liri për veprën penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’ dhe ‘Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’.

Related Articles