Një aksident trafiku ka ndodhur në orët e pasdites së sotme në rrugën Prishtinë – Fushë Kosovë, ku një zyrtar policor dyshohet se është goditur nga një person me automjet.
E dyshuara ka goditur me automjet zyrtarin policor dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.
Gjendja e zyrtarit policor, i cili u godit nga e dyshuara A.A, në kohën kur i njëjti ishte në detyrë, është stabile.
Lajmin e ka konfirmuar drejtori i emergjencës, Naser Syla.
“Gjendja është stabile, nuk ka lëndime të rënda”, u shpreh Syla përmes telefonit.
Rastin e konfirmoi edhe Policia e Kosovës.
“Sot rreth orës 19:00, në rrugën Prishtinë -Fushë Kosovë, një zyrtar policor, i cili ishte në detyrë, është goditur nga një person i dyshuar me automjet. E dyshuara femër, A.A, është ndalur nga policia për një kundërvajtje trafiku. E njëjta duke mos përfillë urdhërat e zyrtarit policor, për të dalë nga automjeti i cili duhej të konfiskohej, pasi ka goditur me automjet zyrtarin policor është larguar nga vendi i ngjarjes”, është shprehur Ahmeti.