Policia arreston dhjetë persona, dyshohen për “bixhoz dhe skema piramidale”

Policia arreston dhjetë persona, dyshohen për “bixhoz dhe skema piramidale”

Një operacion policor në orët e hershme të mëngjesit dje në Gjakove përfundoi me 10 të arrestuar për organizim të skemave piramidale apo bixhozit të paligjshëm.

Pas pranimit të “informatave të besueshme” për organizimin e bixhozit të paligjshëm në një objekt banesor në qytetin e Gjakovës, Policia tha se ka ndërmarrë veprime të menjëhershme duke ekzekutuar urdhër-kontrollin në dy lokacione të dyshuara.

Gjatë këtij operacioni, njësitë policore kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale:

• Tre aparate të lojërave të fatit (APEX),

• Rreth 6 mijë euro dhe disa qindra të tjera në valuta të ndryshme të vendeve të tjera,

•  “Qipa të pokerit” dhe letra bixhozi si dhe

• Një pistoletë me një karikator.

“Si rezultat i këtij aksioni, janë arrestuar 10 persona të dyshuar (meshkuj të moshës madhore), të cilët, pas intervistimit në prani të avokatëve mbrojtës, me vendim të Prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, përderisa rasti po hetohet në drejtim të veprave penale: “Organizimi i skemave piramidale apo bixhozit të paligjshëm”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës””, ka njoftuar policia.

Policia e Kosovës tha se “mbetet e përkushtuar në luftën kundër veprimtarive të jashtëligjshme dhe inkurajon qytetarët që të bashkëpunojnë duke raportuar rastet e tilla përmes numrave zyrtarë të kontaktit”.

Related Articles