Një rast tragjik tronditi vendin më 29 dhjetor pasi në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë, u vra gruaja e Naim Murselit, këshilltarit të ish-presidentit të Kosovës, Behgjet Pacollit. Familja Murseli dyshohet se u përballën fillimisht me disa grabitës, të cilët ua morën gjësendet me vlerë dhe më pas shtënë me armë, duke lënë të vdekur Liridona Murselin, 33-vjeçare.
Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona për rastin e vrasjes së Liridona Murselit.
“Pas përfundimit të ekzaminimit të vendit të ngjarjes, janë ndërmarrë veprimeve intensive hetimore të cilat kanë rezultuar në arrestimin e dy personave të dyshuar lidhur me rastin e sipër shënuar. Njësiti i hetimeve të përgjithshme të Prishtinës në koordinim me Prokurorinë është duke e vazhduar operacionin e bastisjes në dy lokacione në Gjakovë”, thuhet në njoftimin e përditësuar nga Policia e Kosovës.
Kjo ngjarje tronditi gjithë familjen Murseli dhe hetimet tashëm kanë nisur për të zbardhur rrethanat dhe motivet e rastit.
Sipas informacioneve të para, Murseli ka deklaruar se i ka dëgjuar vetëm krismat dhe asgjë nuk ka parë në momentin kritik, kur dyshohet se ia qëlluan gruan me armë zjarri.
Në bazë të detaje të reja që janë zbuluar, Sinjali merr vesh se kanë qenë dy persona, njëri prej të cilëve i armatosur, që ua kanë zënë pritën me veturë familjes Murseli.
Dy grabitësit, sipas informacioneve të para kanë qenë me një veturë me targa të huaja, të tipit Golf 5, por që Policia është në kërkim edhe të një veture BMW me targa të huaja.
Siç ka deklaruar Murseli para hetuesve policorë, hajnat fillimisht iu kanë kërkuar gjërat me vlerë, duke marrë paratë dhe telefonat.
Kjo situatë e tmerrshme dyshohet se e detyroi Murselin që t’i largojë fëmijët nga vetura, por aty mbeti bashkëshortja e tij, e cila fatkeqësisht u vra me armë zjarri.
Këto janë vetëm disa nga detajet që Murseli i ka rrëfyer para Policisë dhe sipas informacioneve që janë mbledhur deri më tani pistat pritet të zgjerohen dhe nuk do të hetohet vetëm versioni i Murselit.
Lajmin e ka konfirmuar Policia dhe ka njoftuar se trupi i pajetë u gjet brenda veturës.
“Rreth orës 20:20, kemi pranuar informatën për të shtëna me armë në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.
Policia si dhe mjekët emergjent, menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku në një veturë kanë hasë një person pa shenja jete. Vdekjen e viktimës (femër) e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.
Mbështetur në informacionet e para, dyshohet se bëhet fjalë për vrasje me armë zjarri.
Policia në koordinim me prokurorinë, ka nisur hetim dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin e plotë të rastit” – njoftoi Policia.