Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), përkatësisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Pejë, ka ndërmarrë veprime hetimore lidhur me një rast të “deklarimit të rremë”, me autorizim të Gjykatës dhe në koordinim me Prokurorin kompetent.
Sipas Policisë së Kosovës, gjatë hetimeve janë siguruar dëshmi të mjaftueshme që tregojnë se personat e dyshuar F.SH. (2000) dhe A.K. (2005), më 13 janar 2026, pranë Qendrës për Pajisje me Dokumente të Identifikimit në Pejë, kanë bërë deklarim të rremë, duke garantuar për identitetin e saktë të personit tjetër të dyshuar, A.R. (2003).
Të dyshuarit janë intervistuar në prezencë të avokatëve të tyre, dhe pas intervistimit, prokurori kompetent ka lëshuar vendim për ndalim policor të dy personave.
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me organet e drejtësisë, thekson përkushtimin e saj për luftimin e krimeve ekonomike, korrupsionit dhe çdo vepre tjetër penale, duke garantuar ligjshmëri, transparencë dhe llogaridhënie ndaj qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.
