Posedimi i armëve ilegale është një dukuri shqetësuese në vendin tonë, pasi që Policia vazhdimisht has në persona të armatosur të cilët cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe rrezikojnë jetën e tyre. Ata shpesh kapen në flagrancë me armë të ftohta e mjete të tjera të rrezikshme.
Policia në koordinim me Prokurorinë kanë kryer mëngjesin e sotëm një bastisje në një shtëpi në fshatin Dobidol të Rahovecit, pas informacioneve se një person posedon armë.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se gjatë kontrollit të shtëpisë së 17-vjeçarit, është gjetur dhe sekuestruar një armë automatike bashkë me karikator dhe fishekë.
I dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga organet e hetuesisë.
Me urdhër të prokurorit, i mituri do të hetohet në liri për veprën penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.
Ndryshe, “Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“