Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj dhe me urdhër të Gjykatës kompetente është duke zhvilluar një aksion në kuadër të hetimeve të rastit ‘Brezovica’, ku po bastisen disa lokacione në lagjet e njohura të Prishtinës.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë të ditur se bastisje është kryer edhe në lagjen Dardania, në shtëpinë e asamblistit të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Berat Lahu.
Sinjali mëson se kontrolli po kryhet nën dyshimet e kryerjes së veprës penale ‘Marrje ryshfetit në ndihmë’, ‘Ushtrimi i ndikimit’, ‘Fajdeja’ dhe ‘Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprave penale’.
Ndërkohë aksionin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, i cili tha se po vazhdon operacioni policor ‘Brezovica 6’.
“Policia e Kosovës, konfirmon se në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë ka vazhduar realizimin e operacionit policor “Brezovica 6”, ku informacionet dhe detajet rreth këtij operacioni, do të bëhen të ditura pas përfundimit”, tha Kelani.