Policia bastis shtëpinë e të dyshuarit për tentim vrasjen në Gjakovë, gjejnë një mjet të pashpërthyer

Qyteti i Gjakovës u trazua dje nga disa të shtëna me kallashnikov në rrugën ‘Yll Morina’ te salloni i bukurisë ‘Almira Nails’, ku si pasojë mbeti i plagosur i riu, Jetmir Ukëhaxhaj. I dyshuar për rastin është ish-dhëndri i Ukëhaxhajt, Kushtrim Beqa, i cili ende nuk është kapur nga Policia.

Burimet  bëjnë me dije se Policia në koordinim me Prokurorinë kanë kryer bastisje në shtëpinë e Beqës, në kërkim të gjurmëve që do mund të shpijnë në lokalizimin e vendndodhjes së tij.

Sinjali mëson se gjatë bastisjes është gjetur dhe sekuestruar një mjet i pashpërthyer, që dyshohet të jetë granatë dore. Si rrjedhojë është dashur që në vendngjarje të dalë edhe njësiti i Forcës së Sigurisë së Kosovës për deminim.

Deri më tani nuk dihen arsyet që çuan dyshen në këtë konflikt ku u përdor edhe arma e zjarrit.

Rastin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj i cili tha se “policia është duke punuar për të sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë rastin si dhe kapjen e të dyshuarit”.

Sot rreth orës 18:20 kemi pranuar informatë se një person mashkull i moshës madhore ishte qëlluar më armë zjarri në rrugën “Yll Morina” në Gjakovë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, përderisa viktima është dërguar në Spitalin Rajonal në Gjakovë. Nga informatat e para të pranuara nga personeli mjekësor, viktima është jashtë rrezikut për jetë”, tha Elezaj mbrëmë.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Related Articles