Policia e Kosovës ka dhënë detaje për arrestimin në Bërnjak të një serbi që ishte në kërkim policor.
S.S dyshohet për disa vepra penale: ‘vrasje e rëndë në tentativë’, ‘sulm ndaj personit zyrtar’, ‘mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës’, ‘thirrje për rezistencë, pjesëmarrja në turmë dhe huliganizëm, asgjësim apo dëmtim i pronës’ etj, të cilat dyshohet se i ka kryer gjatë vitit 2021.
Të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
“Sot me datën 13.04.2024 në Bërnjak, është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar (S. S. viti i lindjes1985), me vendbanim në Zveçan të Republikës së Kosovës. Personi i dyshuar, tanimë i arrestuar nga Policia e Kosovës, është i dyshuar për disa vepra penale si: ‘vrasje e rëndë në tentativë’, ‘sulm ndaj personit zyrtar’, ‘mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës’, ‘thirrje për rezistencë, pjesëmarrja në turmë dhe huliganizëm, asgjësim apo dëmtim i pronës’ etj, të cilat dyshohet se i ka kryer gjatë vitit 2021.
Këto veprime të dyshimta kriminale nuk janë protesta paqësore siç pretendohet e raportohet gabimisht.
Të gjitha veprimet janë realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorinë kompetente, me autorizim të së cilës të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.
Policia vazhdon të zbatojë ligjin dhe të ofrojë mbrojtje e siguri për të gjithë qytetarët pa dallim”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.