Është shtyer për një ditë, masa e gjobitjes për ngasësit e veturave me targat ilegale serbe.
Këtë e ka bërë të ditur Policia e Kosovës, përmes një njoftimi, në të cilin specifikohet se masa për qortim, mbetet në fuqi edhe më 21 nëntor.
”Sipas vendimit deri me datë 21 nëntor do të vazhdojë shqiptimi i masës së qortimit, ndërsa pas kësaj date nga njëzet e dy (22) Nëntor deri me datë njëzet e një (21) Janar 2023, për të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës me targa të tilla ilegale, sipas vendimit zyrtar Policia e Kosovës do të filloj zbatimin drejt shqiptimit të gjobës sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet mes tjerash.
Ndryshe, faza e parë për kalimin nga tabelat ilegale në ato RKS përfshiu qortimin e shoferëve, ndërsa e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro, dhe e treta targa provuese.
Zbatimi i këtij plani është paraparë të përfundojë më 21 prill dhe nga ajo datë, parashihet që në komunikacion të lejohen vetëm automjete me targa RKS.
Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq do të takohen të hënën në Bruksel.