Policia në Ekuador ka arrestuar shtatë persona të armatosur pasi në një spital kishin tentuar të vrisnin një adoleshent që po trajtohej atje.
Anëtarët e bandës morën peng infermierët dhe shkëmbyen zjarr me policinë përpara se të ndaloheshin.
Të gjithë pengjet u liruan dhe askush nuk u lëndua, thanë zyrtarët, shkruan BBC.
Objektivi i sulmit ishte një 17-vjeçar që mendohet të ketë qenë anëtar i një bande që thuhet se është rivale me personat që kanë tentuar ta vrasin.
Personat e armatosur mbajtën peng pesë anëtarë të stafit të spitalit për më shumë se një orë, tha një punonjës për gazetën lokale El Diario.
Presidenti i Ekuadorit, Guillermo Lasso, falënderoi gjithashtu policinë, duke thënë se ndërhyrja e tyre ka shpëtuar jetë.