Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës u mbajt takim zyrtar lidhur me planifikimet dhe angazhimin e Policisë në zbatimin e planit operativ “Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës”.
Në këtë takim morën pjesë menaxhmenti i lartë, në krye me drejtorin e Përgjithshëm të PK-së, kolonel Gazmend Hoxha, drejtorët e departamenteve si dhe udhëheqës e përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare nga Prokuroria e Shtetit, KQZ-ja, KFOR-i, EULEX-i, OSBE-ja dhe përfaqësues të ambasadës Amerikane e zyrës së BE-së në Kosovë.
“Të pranishmit janë njoftuar lidhur me planifikimet, vlerësimet dhe angazhimet policore, në ofrimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, si një proces mjaft i rëndësishëm për vendin. Drejtori Hoxha, gjatë këtij takimi, ka theksuar se përmes realizimit të planit operativ duhet të krijohet një ambient i sigurt dhe i qetë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës përmes mbajtjes së rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve. Përveç tjerash, ky plan parasheh bashkërendimin dhe koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta të parapara sipas marrëveshjes së bashkëpunimit në mes të institucioneve kompetente vendore, me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor”, thuhet në njoftimin e policisë.
Pjesë e diskutimit ishte edhe krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt, me qëllim të ushtrimit të së drejtës së votimit të lirë për të gjithë qytetarët, si edhe inicimi e procedimi i çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrjes së të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet e vendit që rregullojnë/sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike, në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit, sipas planeve të veprimit dhe marrëveshjeve paraprake të bazuara në ligj.