Qeveria e Kosovës të enjten ka prezantuar para Kuvendit koeficientët për Ligjin e ri të pagave në sektorin publik.
Prej vitesh ka ankesa në lidhje me pagat e policëve në vend, të cilat shpeshherë janë konsideruar si të pa dinjitetshme për të jetuar një jetë normale, në raport me punën që bëjnë dhe rrezikun që përballen çdo ditë.
Me Ligjin e ri të pagave të propozuar nga qeveria, një polic i thjeshtë e ka koeficientin 4.5, dhe nëse vlera e koeficientit do të jetë 120 euro, do ta kenë rrogën 540 euro në muaj, ndërsa policët e rinj, pritet ta kenë pagën mujore 504 euro, për dallim nga ushtarët të cilët koeficientin e kanë 5, dhe pritet të marrin pagë prej 600 eurove.
Nga Sindikata e Policisë së Kosovës, nuk janë të kënaqur me këtë ligj të publikuar, për shkak të vlerës së papublikuar monetare të koeficientit, pa të cilën ata thonë se është i papranueshëm ky ligj.
Gjithashtu, ata kërkojnë ta kenë koeficientin e njëjtë me institucionin tjetër të sigurisë, FSK-në, dhe kërkojnë përfshirje të rrezikshmërisë në pagën e tyre. Kryetari i kësaj sindikate, Imer Zeqiri, tha se ata kanë katër vërejtje apo kërkesa për Ligjin e Pagave.
“Vërejtja e parë e sindikatës së Policisë së Kosovës është se nuk është caktuar vlera e koeficientit, dhe pa të ne nuk dijmë se çka të pranojmë, çfarëdo koeficienti të jetë, nëse nuk informohemi për vlerën e tij për neve është e papranueshme.”
Në nenet e Kosovës thotë; punë e njëjtë pagë e njëjtë. Ne e kemi koeficientin më të vogël se institucioni tjetër i sigurisë, FSK. Kërkesa jonë e dytë është që koeficienti jonë të jetë i barabartë me atë të FSK-së, sepse edhe ne jemi institucion i sigurisë së vendit.”
Vërejtja e tretë e jona është se nuk është përcaktuar rrezikshmëria për punë e policisë. Ky është një detaj i cili duhet të specifikohet apo të sqarohet, pra, se cila do të jetë përqindja e rrezikshmërisë për punën që bëhet.”
“Kërkesa tjetër është që stafi civil që punon në Policinë e Kosovës, të mbetet ende nën ombrellën e policisë, ashtu siç edhe faktikisht është. Ata janë pjesë e Policisë, pavarësisht që nuk kanë autorizime policore”, deklaroi Zeqiri.
Vërejtjet dhe mospajtimet e njëjta në këto pika, i ka edhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala. Shala tha se koeficientët e ndryshëm për FSK-në dhe Policinë e Kosovës, mund të krijojnë largim të policëve nga profesioni dhe rrjedhimisht, cenimin e sigurisë kombëtare të vendit. Ai propozoi që të rishikohen dhe pastaj të ndryshohen këta koeficientë të propozuar nga qeveria.
“Në sektorin e sigurisë mos balancimi i koeficientit në mes ushtrisë dhe policisë do mund të prodhojë një situatë jo të lakmueshme ku do kemi largim nga strukturat e policisë dhe kështu do mund të prodhojë një situatë ku siguria nacionale e vendit mund të cenohet. Pra në këtë pike duhet të jemi të vetëdijshëm që në kuadër të këtij projektligji duhet të ndërhyhet në përmirësim dhe ndryshim të koeficientëve dhe të kemi një vijë. Gjithashtu edhe te pjesa e stafit civil duhet të kemi ndryshime se jo një zyrtar civil në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe ai në Ministrinë e Mbrojtjes të kenë koeficientë të ndryshëm, a puna është e njëjtë por vetëm në dikastere të ndryshme”, tha Shala në nje deklarim për Syri Kosovën.
Qeveria e Kosovës e ka caktuar 6 tetorin si datën përfundimtare të diskutimit, ofrimit apo propozimit të zgjidhjeve eventuale ku do të mund të shprehen pakënaqësitë e palëve të caktuara në lidhje me Ligjin e pagave.
Nga Sindikata e Policisë, Imer Zeqiri thotë se ata do t’i paraqesin kërkesat e tyre dhe do të marrin pjesë në çdo diskutim apo takim eventual në mënyrë që të arrihet një zgjidhje sa më e përshtatshme për zyrtarët policor.
“Sigurisht që do të marrim pjesë në këto takime, ku me vendosmëri të plotë do t’i adresojmë në çdo formë kërkesat, vërejtjet apo komentet tona”, deklaroi Zeqiri.
Gjithashtu, Zeqiri shtoi se paga aktuale nuk i përmbush as nevojat elementare të policëve të Kosovës, marrë parasysh rritjen e çmimeve dhe inflacionit.
Të njëjtin mendim ka edhe eksperti i sigurisë, Drizan Shala, i cili tha se me këtë pagë që kanë policët, nuk mund të jetojnë me dinjitet.
Paga aktuale e një polici të thjeshtë është 504 euro, ndërsa e policëve të rinj është 480. Me Ligjin e ri, është paraparë që të rritet pak kjo pagë mujore, megjithatë, për policët kjo është e pamjaftueshme në raport me punën që bëjnë dhe rrezikun me të cilin ballafaqohen, shto këtu faktin që atyre nuk u paguhen shujtat ditore, dhe ende nuk kanë sigurim shëndetësor, përkundër se kjo ka qenë kërkesë e kahmotshme e tyre.
Ka shumë vite që sindikata e policisë kërkon që 600 euro në muaj të jetë paga më e vogël në këtë institucion kaq të rëndësishëm të sigurisë në vend, por, siç duket kjo kërkesë ende nuk ka ndërmend të plotësohet.