Policia e Kosovës gjatë ditës së sotme ka parandaluar dy aktivitete të kundërligjshme në kufi.
Në fshatin Bistricë të Leposaviqit, patrulla policore ka ndaluar një kamion, që drejtohej nga një serb, me të cilin po kryente transport të druve.
Policia thotë se gjatë kontrollit është vërejtur se drutë po transportoheshin në mënyrë të paligjshme.
Lidhur me këtë, është iniciuar rast kundër drejtuesit të kamionit.
Gjithashtu, patrulla policore ka ndaluar edhe një veturë të cilën e drejtonte i dyshuari serb, ku brenda saj po transportoheshin mallra ushqimore, e të cilat dyshohet se ishin futur në Kosovë përmes rrugëve ilegale.
“Rastet janë iniciuar dhe janë duke u trajtuar nga Njësia Rajonale e Hetimeve të Drejtorisë Rajonale Kufitare Veriu. Është njoftuar prokurori kompetent. Rastet do të trajtohen në koordinim me Doganën e Kosovës dhe Agjencionin e Pyjeve të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.