Policia e Kosovës në veri refuzon të shpërndajë fleta qortuese

Policia e Kosovës në veri refuzon të shpërndajë fleta qortuese

Drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, tha se policët në veri të Kosovës nuk do të zbatojë vendimin e Qeverisë për shpërndarjen e fletave qortuese, për shoferët që kanë makina me targa të lëshuara nga Serbia. Vendimi për qortim, sipas tij, është “politik dhe drejtuar kundër komunitetit serb”.

Ai tha se me këtë vendim paraprakisht është informuar edhe drejtoria e përgjithshme në Prishtinë si dhe të gjithë akterët ndërkombëtarë.

“Sot nga drejtoria e përgjithshme e policisë në Prishtinë në rajonin tonë janë dërguar patrulla të trafikut për t’iu bërë presion institucioneve tona për të zbatuar vendimin që ka të bëjë me qortimin”, tha ai.

Gjuriq i bëri këto deklarata pas takimit me përfaqësuesit e Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë.

Që nga 1 nëntori, autoritetet në Kosovë kanë thënë se qytetarëve që kanë makina me targa ilegale, do të marrin fleta qortuese. Kjo është faza e parë e planit prej tri etapash, që Qeveria e Kosovës ka thënë se do të zbatojë nga 1 nëntori deri më 21 prill të vitit 2023, sa i përket riregjistrimit të makinave në targat RKS (Republika e Kosovës).

Faza e dytë parasheh gjobë prej 150 eurosh për shoferët që kanë makina me targa serbe, ndërkaq në fazën e tretë do të përdoren targa provuese.

Pas 21 prillit, sipas Qeverisë, nuk do të lejohet qarkullimi i makinave që nuk kanë targa RKS.

Në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – vlerësohet se janë deri në 10.000 automjete me targa ilegale serbe.

Këto targa i lëshon Serbia dhe bartin akronime serbe të qyteteve të Kosovës, si: KM, GL, PR, UR e të tjera.

Në javët e fundit janë shtuar incidentet në veri, që kanë pasur në cak kryesisht serbët që kanë riregjistruar makinat e tyre në RKS.

Vendimi për riregjistrimin e makinave fillimisht ishte paraparë të hynte në fuqi më 1 gusht, por u shty për një muaj për shkak se serbët lokalë ngritën barrikada në shenjë pakënaqësie ndaj këtij vendimi.

Pak para se të skadonte afati për riregjistrim më 31 tetor, Qeveria e Kosovës njoftoi për planin e saj me tri faza për targat./REL

Related Articles