Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se do të ndërhyjnë nëse kërcënohen serbët që po qëndrojnë në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak.
Këto deklarime ai i bëri gjatë një bisede telefonike që ka pasur me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg.
Madje Vuçiq i ka dhënë afat prej 24 orësh NATO-s që të reagojë.
Lidhur me këto zhvillime ka folur drejtori i Qendres Kosovare për Studime të Sigurisë Mentor Vrajolli.
Ai në Info Magazine në Klan Kosova tha se Policia e Kosovës nuk ka shkuar në veri për ta sulmuar askënd.
“Policia e Kosovës nuk ka shkuar atje për ta sulmuar askend. Policia e Kosovës besoj që ka dëshmuar mjaftueshëm që nuk është polici represive. Mendoj që tendenca për ta paraqitur policinë e Kosovës si represive është në linjë me diskursin e përgjithshëm në Serbi me propagandën e madhe që është zhvilluar nga qarqet atje”.
Vrajolli tha se të gjithë duhet të jenë të kujdesshëm që mos ta absorbojnë propaganden serbe.
“Mendoj që në këtë pikë edhe ne si qytetarë edhe ne si shoqëri civile, pozita, opozita dhe mediat duhet të jenë të kujdesshme që mos ta absorbojmë këtë lloj propagande në mënyrë ashtu si plasohet nga pala e kundërt”.
Sot është dita e tetë që kur ka hyrë në fuqi masa e reciprocitetit për targat e automjeteve nga Serbia.
Si rezultat janë bllokuar dy pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë që lidhin Kosovën me Serbinë.
Kjo për shkak të protestimit nga serbët duke shprehur pakënaqësinë ndaj këtij vendimi të qeverisë.