Policia e Kosovës paralajmëron për e-maile të rremë në emër të institucioneve shtetërore

Policia e Kosovës paralajmëron për e-maile të rremë në emër të institucioneve shtetërore

Policia e Kosovës ka njoftuar opinionin publik lidhur me qarkullimin e disa e-mailave të rremë (false), të cilët po shpërndahen në adresa të ndryshme elektronike dhe paraqiten kinse si dokumente zyrtare të Policisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera vendore e ndërkombëtare.

Sipas njoftimit, këto e-maile janë të emërtuara si “Thirrje Gjyqësore”, me numra referues të dosjeve, dhe pretendojnë rrejshëm se janë lëshuar nga stafi i lartë menaxhues i Policisë së Kosovës, Agjencia e Sigurisë Kibernetike, Byroja Federale e Hetimeve, Policia Kundër Krimit Kibernetik dhe Interpoli.

Policia sqaron se këto dokumente nuk janë zyrtare dhe nuk janë lëshuar nga asnjë institucion shtetëror, por bëhet fjalë për materiale të falsifikuara me qëllime mashtruese.

PK bën të ditur se, në bashkëpunim me organet e drejtësisë, ka nisur hetime intensive, duke angazhuar njësitet kompetente policore, me qëllim të identifikimit dhe kapjes së personave përgjegjës për këtë veprimtari të kundërligjshme.

Policia e Kosovës u bën thirrje qytetarëve që të mos bien pre e mashtrimeve dhe dezinformatave të tilla, dhe kushdo që pranon e-maile apo dokumente të dyshimta, t’i raportojë në adresën zyrtare:[email protected] për trajtim të mëtejmë.

Related Articles