Nën patronatin e Ministrit të Punëve të Brendshme në detyrë, Xhelal Sveçla, dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Kolonel Gazmend Hoxha, të premten organizohen një sërë aktivitetesh për të shënuar 14-vjetorin e rënies së Heroit Enver Zymeri si dhe Ditën Memoriale të zyrtarëve policorë të rënë në krye të detyrës.
Aktivitetet përkujtimore nisin që në orën 08:00 me vizitën e Drejtorit të Policisë dhe menaxhmentit të lartë të PK-së në familjen e zyrtarit policor Muhamed Lika, i rënë në krye të detyrës, në Kaçanik.
Nga ora 09:00, do të mbahen homazhe shtetërore tek Lapidari i Policëve të Rënë, në oborrin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë në Prishtinë, me pjesëmarrjen e personaliteteve më të larta shtetërore.
Më pas, do të vijojnë homazhe e vizita në:
Ora 10:00 – Tek varri i Heroit Afrim Bunjaku në fshatin Samadrexhë, Vushtrri
Ora 10:15 – Vizitë në familjen e Heroit Bunjaku
Ora 10:45 – Homazhe tek varri i Heroit Enver Zymeri në fshatin Dubovc, Vushtrri
Ora 11:30 – Vizitë në familjen e Heroit Zymeri në Vushtrri.
Ora 12:30 – Homazhe në vendin e rënies së tij në Varage, Zubin Potok
Në kuadër të kësaj dite përkujtimore, do të organizohen edhe aktivitete sportive, si: ecje, çiklizëm, vozitje me motorë dhe gara me kayak. Marshrutimi i ekipeve do të zhvillohet nga jugu në veri të vendit, me pikëkalim në vendin e rënies së Heroit Zymeri.