Policia e Shqipërisë ka publikuar një numër të madh të masave që ka ndërmarrë për të parandaluar çdo ekses, para gjatë dhe pas ndeshjes Shqipëri – Çeki. Kjo ndeshje luhet të enjten prej orës 21:00 në stadiumin “Air Albania” në Tiranë dhe i takon kualifikimeve për “Euro 2024”.
Për Shqipërinë është ndeshje e rëndësishme për rrugëtimin e saj drejt kualifikimit për herë të dytë në Evropian. Krahas numrit të madh të masave të publikuara, Policia e Shqipërisë ka informua edhe dënimet që shtetasit shqiptarë dhe të huaj mund t’i marrin në bazë të Kodit Penal të Shqipërisë.
“Në bazë të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, veprimet e dhunshme në aktivitetet sportive, si hyrja në fushën e lojës gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sportiv nga persona të paautorizuar, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 100 000 lekë. Kur nga kjo vepër, ka ardhur pengimi i zhvillimit normal të aktivitetit sportiv, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj. Hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi masën e njerëzve, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet”, shkruan në njoftimin e Policisë së shtetit shqiptar.
Po ashtu është bërë e ditur se vepër penale konsiderohet edhe goditjen apo çdo vepër tjetër dhune ndaj sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportive, për shkak të veprimtarisë sportive, nga persona jashtë kësaj veprimtarie, vepër penale që dënohet me burgim nga një deri në tre vjet.
“Po kjo vepër, kur kryhet në ambiente sportive, më shumë se një herë, apo nga drejtues apo anëtarë të klubeve sportive, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet. Portat e hyrjes në stadium, ditën e ndeshjes, do të hapen në orën 17:00.Apelojmë për tifozët që do të ndjekin ndeshjen në stadium, që të paraqiten në kohë dhe të zbatojnë rregullat e përmendura më lart, në mënyrë të të mos krijohen radhë ose vonesa dhe ky aktivitet të përmbyllet pa incidente, në interes të imazhit të vendit”, shkruan në postimin e gjatë të Policisë së Shtetit. FSHF-ja është gjobitur me 30 mijë euro për ndezjen e fishekzjarrëve, hedhjen e gjësendeve dhe akte dëmtuese në duelin me Poloninë. Ndërkohë, me 14 mijë euro tjera, FSHF-ja është gjobitur për bllokimin e rrugëve publike.