Autoritetet franceze kanë ndërmarrë një aksion të rëndësishëm ligjor kundër platformës sociale “X” (ish-Twitter), duke bastisur zyrat e kompanisë në Paris.
Operacioni, i zhvilluar ditën e martë nga policia franceze në bashkëpunim me Europolin, është pjesë e një hetimi të thelluar mbi shkelje të rënda ligjore, përfshirë shpërndarjen e materialeve pedopornografike dhe gjuhën e urrejtjes.
Prokuroria e Parisit konfirmoi se, përveç kontrollit të zyrave, ka lëshuar një fletë-thirrje për pronarin e platformës, Elon Musk, si dhe ish-drejtoreshën ekzekutive, Linda Yaccarino, për t’u paraqitur në intervista vullnetare më datë 20 prill.
Hetimi përqendrohet kryesisht te “Grok”, chatbot-i i Inteligjencës Artificiale i zhvilluar nga kompania e Musk. Prokurorët dyshojnë se platforma ka dështuar të kontrollojë krijimin dhe përhapjen e përmbajtjeve të paligjshme. Lista e akuzave përfshin bashkëpunim në shpërndarjen e imazheve pornografike të të miturve (të gjeneruara nga AI), krijimin e “deepfakes” me natyrë seksuale pa pëlqimin e personave, dhe mohimin e krimeve kundër njerëzimit, përfshirë mohimin e Holokaustit.
Sipas hetimeve, AI i platformës, “Grok”, kishte gjeneruar deklarata ku dhomat e gazit në Aushvic cilësoheshin si vende për “dezinfektim”, si dhe kishte krijuar imazhe të seksualizuara të fëmijëve.
Reagimet zyrtare – Prokurorja e Parisit, Laure Beccuau, deklaroi se qëllimi i hetimit është të sigurojë që “X” të respektojë ligjin francez gjatë operimit në territorin kombëtar. Vetë zyra e prokurorisë, në një lëvizje simbolike, njoftoi për bastisjen në platformën “X” dhe më pas e la këtë rrjet social.
Eric Bothorel, ligjvënësi francez që inicioi ankesën fillestare në janar 2025, e përshëndeti aksionin duke theksuar: “Në Europë, dhe veçanërisht në Francë, askush nuk është mbi ligjin.”
