Policia e Kosovës ka identifikuar një lokacion të mbjellë me bimë narkotike të llojit kanabis sativa, në një zonë të thellë malore të Gjakovës, konkretisht në brezin kufitare me Shqipërinë.
“Njësitet e Specializuara Kufitare, së bashku edhe njësinë e Antidrogës në Gjakovë, kanë shkuar në lokacionin e dyshuar dhe në vendin e ngjarjes i kanë gjetur dy parcela, në të cilën kishin qenë të mbjella 150 bimë të dyshuara narkotike (kanabis sativa) me gjatësi 1 deri në 2 metra”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia e Kosovës po ashtu ka komunikuar edhe me Policinë e Republikës së Shqipërisë dhe në koordinim me të njëjtit është bërë sigurimi i perimetrit të jashtëm të zonës në vijën kufitare Kosovë/Shqipëri nga ajri dhe nga toka.
Të gjitha veprimet lidhur me rastin janë kryer në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë, është iniciuar rasti “Kultivim i bimëve narkotike”, është bërë asgjësimi i bimëve narkotike në vendin e ngjarjes. /Gazeta Enigma