Operacioni i koduar “Krali” ka përfunduar me sukses pasi gjatë një kontrolle në Elbasan është arrestuar një 44 vjeçar pasi që policia gjeti dhe sekuestroi një arsenal armësh në banesën e tij.
Në një njoftim për mediat, policia tha se shtetasit me inicialet G.D., banues në lagjen “Visarion Xhuavani”, iu sekuestrua një armë zjarri kallashnikov, një pushkë sportive me dylbi, municion luftarak e sende të tjera të kundërligjshme.
“Shërbimet e Policisë gjatë kontrollit të banesës së 44-vjeçarit, gjetën e sekuestruan një armë zjarri kallashnikov, një pushkë sportive me dylbi, rreth 500 copë fishekë luftarak për pistoletë, kallashnikov e mitraloz, një përforcues grushti, një thikë dhe 7 karikatorë”, citohet nga njoftimi, shkruan Topchannel, transmeton Gazeta ‘Enigma’.
Policia thotë se provat e mësipërme janë dërguar në Institutin e Policisë Shkencore në Tiranë, për t’u ekzaminuar nëse janë përdorur në ngjarje të tjera kriminale.
Po ashtu, po vazhdon puna për dokumentimin e mëtejshëm ligjor të kësaj ngjarje dhe të aktivitetit kriminal të këtij shtetasi, nëse është i implikuar në ngjarje kriminale të ndodhura më parë.
Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme hetimore Prokurorisë pranë Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”./Gazeta Enigma/